Më 28 janar, Bashkësia Islame Shqiptare «Hëna e re» në Kreuzlingen festoi 30-vjetorin e saj. Ceremonia u mbajt në Qendrën e Sportit dhe Kulturës “Dreispitz”. Më shumë se 600 mysafirë morën pjesë në këtë jubile.

Kreuzlingen – Programi filloi me këndim të Kur’anit nga Arben Emini nga Mynihu. Më pas u shfaq një film prezantues për themelimin e xhamisë shqiptare dhe zhvillimin e saj deri më sot. Pas fjalëve përshëndetëse dhe falënderuese të imamit Rehan Neziri dhe kryetarit të xhamisë Besir Halili, kryetari i komunës Thomas Niederberger uroi në emër të tij dhe të këshillit komunal xhaminë shqiptare për përvjetorin dhe e falënderoi për “punën e vlefshme të xhamisë në qytetin tonë”.

Ai shtoi më tej:

“Vura re se kur programi juaj filloi në orën 18:00 me lexim nga Kur’ani, në të njëjtën kohë ranë edhe kambanat e kishës katolike këtu afër. Pikërisht kjo është tipike për Kreuzlingenin dhe e dallon atë – që fe dhe kultura të ndryshme mund të bashkëjetojnë në paqe. Kreuzlingeni është një qytet jashtëzakonisht interesant nga ana kulturore. Njerëz nga e gjithë bota jetojnë, punojnë dhe angazhohen në qytetin tonë. Dhe unë jam vërtet shumë i lumtur që bashkëjetesa këtu funksionon kaq mirë. Kjo është padyshim edhe meritë e organizatave të ndryshme kulturore e fetare, ndër to edhe e punës së xhamisë shqiptare, e cila është një nga xhamitë e para në Zvicrën Lindore, që prej tridhjetë vitesh...”

Programin e pasuroi gjithashtu ansambli i valleve “Drita” nga Kreuzlingeni, grupi i të rinjve të të cilit interpretoi disa valle tradicionale shqiptare. Në fund, kryesia e xhamisë ndau mirënjohje si shenjë falënderimi për të gjithë ata që, që nga fillimi janë angazhuar më së shumti për xhaminë – shpirtërisht dhe financiarisht.

I gjithë programi u shoqërua nga këngët fetare të interpretuara nga Arben Emini dhe Kabil Keçai.


Më shumë se 600 mysafirë, të rritur dhe fëmijë, u shërbyen me ushqime, pije dhe ëmbëlsira tradicionale shqiptare, të përgatitura nga kryesia e xhamisë me ndihmën e anëtareve të Forumeve të Grave dhe të Rinisë pranë Xhamisë Shqiptare në Kreuzlingen.

 

(Gazeta javore "Kreuzlinger Nachrichten", 2 shkurt 2023)